E themeluar si shoqëri sigurimi e produkteve të Jo–Jetës në shtator të vitit 2004, nën emrin DUKAGJINI SH.A, në dhjetor të vitit 2005 shoqëria shet aksionet 100% dhe në mars të vitit 2006 hyn në treg me emrin EUROSIG SHA, tërësisht me kapital vendas dhe me aksionarë të rinj.
EUROSIG, si shoqëri e konsoliduar në tregun e sigurimeve, është e shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me 33 degë dhe mbi 230 agjenci dhe pika shitjeje e përfaqësimi. Aktualisht, në Eurosig janë të punësuar mbi 300 punonjës në nivel qendror dhe vendor.
Përkushtimi në shërbimet e sigurimit që ofrojmë, kanë sjellë rritjen e vazhdueshme të numrit të klientëve që na kanë besuar. Nga viti në vit, nën siglën “EUROSIG”, treguesit ekonomiko-financiarë të shoqërisë kanë shënuar rritje. Pas 20 viteve aktivitet në industrinë e sigurimeve, Eurosig ka mbi 5 vite që renditet në vendin e dytë në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës në Shqipëri.
Blerja më 2014 e shoqërisë së sigurimeve “Dardania”, në Kosovë, dhe privatizimi më 2016 i INSIG (VKM e datës 23 mars 2016), ka sjellë zgjerimin e veprimtarisë së Eurosig në fushën e sigurimeve dhe në Kosovë e Maqedoni. Tashmë Grupi Eurosig përbëhet nga: EUROSIG Shqipëripër veprimtarinë e Jo-Jetës, EUROSIG Kosovë për veprimtarinë e Jo-Jetës, EUROSIG Maqedoni për veprimtarinë e Jo-Jetës, INSIG Shqipëri për veprimtarinë e Jo-Jetës, INSIG Kosovë për veprimtarinë e Jo-Jetës dhe INSIG Shqipëri për veprimtarinë e sigurimit të Jetës. Aktualisht EUROSIG Kosovë renditet në vendin e parë në veprimtarinë e Jo-Jetës në Kosovë. Edhe EUROSIG Maqedoni është në rritje të shpejtë të peshës në tregun e veprimtarisë së Jo-Jetës në Maqedoni. Këto zhvillime kanë patur një impakt të rëndësishëm pozitiv për Eurosig, në rritjen dhe konsolidimin e veprimit të saj në tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe rajon. Grupi EUROSIG është familja me e madhe e sigurimeve në të gjitha trevat shqiptare. Eurosig, tashmë kategorizohet si një faktor dhe institucion i rëndësishëm në tregun e sigurimeve në të gjithë rajonin.
Shoqëria EUROSIG ka investuar një kosto relativisht të lartë për risigurimet, me kompani risigurimi prestigjoze, si Hannover Re, Polish Re, Trust Re, Generali Italia SPA, Partner Re, Scor Re, Munich Re, Transatlantic Re, Atradius Re për të garantuar financiarisht detyrimet e mundshme ndaj klientëve, si në risqet e sigurimit të pronës ashtu edhe në ato të sigurimeve motorike dhe të përgjegjësive. Shoqëria EUROSIG ka bashkëpunim edhe me broker risigurimesh si Aon Benfield (brokeri më i madh në botë), JLT Re brokeri i katërt në botë, MAI broker.
Kompania e sigurimeve Eurosig tashmë ka marrë kontrollin total të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (BBSH), duke zotëruar rreth 99.46 % të kuotave aksionare. Kompania e sigurimeve Eurosig deri më 31 Dhjetor 2023 arriti të përvetësojë të të gjitha aksionet e kapitalit të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë,e themeluar më 13.05.1993 si shoqëri aksionare dhe mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë.