COVID-19

EKONOMIA GLOBALE DHE AJO SHQIPTARE GJATË DHE PAS PANDEMISË COVID-19

Ndërsa nuk ka asnjë mënyrë për të thënë saktësisht se çfarë dëmi ekonomik do të jetë nga pandemia globale e COVID-19. Ekziston një marrëveshje në mesin e ekonomistëve që ajo do të ketë ndikime të rënda negative në ekonominë globale. Vlerësimet e hershme parashikuan që nëse virusi do të bëhet një pandemi globale, shumica e ekonomive kryesore do të humbin të paktën 2.4 për qind të vlerës së Produktit të tyre të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020. Megjithatë, këto parashikime u bënë para se COVID-19 të bëhej një pandemi globale dhe përpara zbatimit të kufizimeve të përhapura në kontaktet sociale për të ndaluar përhapjen e virusit. Që nga ajo kohë, tregjet botërore të aksioneve kanë pësuar rënie dramatike për shkak të shpërthimit pandemik. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga pandemia COVID-19 vërehet kryesisht nga një rënie e kërkesës, që do të thotë se nuk ka konsumatorë që të blejnë mallrat dhe shërbimet në dispozicion në ekonominë globale. Kjo dinamikë mund të shihet qartë në industritë e prekura, siç janë udhëtimi dhe turizmi. Për të ngadalësuar përhapjen e virusit, vendet vendosën kufizime në udhëtime, që do të thotë se shumë njerëz nuk mund të blejnë fluturime për pushime ose udhëtime pune. Kjo ulje e kërkesës së konsumatorit bën që linjat ajrore të humbasin të ardhurat e planifikuara, do të thotë se më pas ato duhet të shkurtojnë shpenzimet e tyre duke zvogëluar numrin e fluturimeve që ato kryejnë. Pa ndihmën e qeverisë, përfundimisht linjat ajrore do të duhet të zvogëlojnë stafin për të ulur më tej kostot. E njëjta dinamikë vlen për industritë e tjera, për shembull me rënien e kërkesës për naftë nuk mundësohen lëvizjet ditore, ngjarjet shoqërore dhe pushimet. Ndërsa kompanitë fillojnë të shkurtojnë personelin për të fituar të ardhurat e humbura, shqetësimi është se kjo do të krijojë një spirale ekonomike në rënie, kur këta punëtorë të papunë nuk do të kenë mundësi të blejnë mallra dhe shërbime. Si për shembull, një rritje e papunësisë do të zvogëlonte shitjet që kanë ndodhur nga mbyllja e dyqaneve, duke kaskaduar krizën në segmentin e shitjes me pakicë në internet (e cila është rritur gjatë gjithë krizës). Nga kjo dinamikë ka ekonomistë që mendojnë se pandemia COVID-19 mund të çojë në një recesion global në shkallën e Depresionit të Madh. Pavarësisht rrezikut të qartë në të cilën ndodhet ekonomia globale, ka edhe arsye për të shpresuar se ky skenar i rastit më të keq mund të shmanget. Qeveritë kanë mësuar nga krizat e mëparshme se efektet e një recesioni të nxitur nga kërkesa mund të kundërvihet me shpenzimet e qeverisë.Si pasojë, shumë qeveri po rrisin sigurimin e mirëqenies monetare për qytetarët dhe sigurojnë që bizneset të kenë akses në fondet e nevojshme për të mbajtur stafin e tyre të punësuar gjatë gjithë pandemisë.Për më tepër, natyra specifike e kësaj krize do të thotë që disa sektorë mund të përfitojnë, të tilla si tregtia elektronike, shitja me pakicë e ushqimit dhe industria e kujdesit shëndetësor - duke siguruar të paktën një rritje ekonomike për të kompensuar dëmin. Më në fund, ekziston fakti që kriza mund të ketë një datë të qartë përfundimi, kur të mund të hiqen të gjitha kufizimet në lëvizje (për shembull, kur të shpiket një vaksinë). Të marra së bashku, kjo do të thotë se të paktën është e mundur që ekonomia globale të ketë një reagim të mprehtë pasi të ketë mbaruar pandemia.

 

Tashmë po bëhen disa muaj që nga shpërthimi global i pandemisë së COVOD-19, e cila përditë e më shumë po e vendos ekonominë globale përballë krizës më të madhe ekonomike që ka njohur ndonjëherë historia. Patjetër që situata e sotme ekonomike ka disa pika të përbashkëta dhe të ngjashme me krizën financiare dhe ekonomike globale të 2008-ës, por duhet thënë se në këtë rast është shumë më komplekse që për fat të keq do të rezultojë në një mega recesion ekonomik, që nuk do t’i shpëtojë as “fabrika e botës”, Kina. Fatura e dëmeve që përllogariten nga kjo krizë ekonomike që ka përfshirë tashmë botën do jetë padyshim më e madhja e historisë moderne, me të drejtë e krahasueshme me luftërat botërore (por kjo është një luftë botërore kundra një armiku të padukshëm dhe mjaft të rrezikshëm).

Specifika e krizës dhe recesionit në të cilën ka hyrë tashmë bota është se ajo nuk vjen e shkaktuar nga ndonjë sektor specifik i ekonomisë, por sot të gjithë sektorët e ekonomisë në çdo shtet janë të prekur e në këto kushte, ekonomia globale do të duhet të rishkruajë edhe njëherë thuajse të gjitha rregullat e funksionimit të saj, duke marrë masa mbrojtëse segmentuese dhe fragmentuese. Pavarësisht kësaj, jo të gjithë sektorët e ekonomisë globale do preken njësoj nga kriza. Disa industri, si: industria farmaceutike, elektro-mjekësore, kujdesi shëndetësor, nano dhe bio-teknologjia, industria kimike dhe e kujdesit personal, etj., do të njohin zhvillim dhe rritje në vijim, ndërkohë, shumë sektorë të tjerë, kryesisht shërbimet, komunikacioni, transporti, etj., do njohin humbje dhe falimentime të mëdha. Ajo që mund të pohohet pa frikë është se, bota pas kësaj pandemie nuk do të jetë kurrë më ajo që kemi njohur dhe jetuar deri më sot.
Përllogaritjet paraprake (nga UNCTAD-i por dhe nga FMN e Banka Botërore) nxjerrin humbje që deri në fund të 2020-ës mund të jenë deri në 5 trilionë dollarë, thuajse sa e gjithë ekonomia e Japonisë. Duhet sqaruar se, kjo është një vlerë që lidhet më shumë me rritjen e munguar ekonomike sesa me humbjet ekonomike, të cilat fatkeqësisht do të jenë edhe më të mëdha dhe për shumë vite më pas. Ndërkohë, mendohet se, sipas ILO-s, gjatë 2020-ës do të humbasin rreth 50 milionë vende pune në gjithë botën, një shifër kjo tepër e lartë e kryesisht kjo do të përjetohet në vendet e zhvilluara.

Si në çdo ekonomi tjetër në botë, edhe në Shqipëri pandemia e COVID-19 dhe më pas saj do të ketë, padiskutim, një ndikim të thellë dhe të ndjeshëm, madje shumë më të ndjeshëm sesa kriza e 2008-2009, që e preku thuajse tangencialisht Shqipërinë. Ndryshe nga çdo krizë tjetër ekonomike, kjo e ka prekur çdo vend të botës thuajse simetrikisht në çdo aspekt, pasi ndalimi i motorrit të ekonomisë ka qene thuajse i njëjtë në çdo vend; pra një stopim thuajse i plotë i punës në sektorët kyç të ekonomisë.Sigurisht struktura ekonomike e Shqipërisë, e bazuar fort dhe në mënyrë jo-asimetrike në shërbime, besohet se do të goditet më fort sesa ekonomitë që një pjesë të mirë të saj e përbën sektori i prodhimit dhe bujqësia.
Konkretisht e logjikisht, sektorët më të prekur dhe të goditur në ekonominë e Shqipërisë do jenë: hoteleri-turizmi, shërbimet tregtare (bar-kafe, restorante), sektori i argëtimit, por dhe fasoni, kryesisht në vijim të modifikimit të fortë që pritet të pësojë kërkesa për mallrat nga porositësit, si pasojë e rënies së pritshme të fuqisë blerëse, kryesisht në Europë, ku është dhe tregu më i madh i eksporteve shqiptare të këtij sektori. Gjitahshtu, edhe transporti mbetet ndër sektorët më të goditur e që ka pësuar humbje të pallogaritshme, qoftë ai ndërqytetas, qoftë ai ndërkombëtar. Mbyllja e kufijve ka krijuar jo pak probleme dhe me dërgesat e emigrantëve dhe me vet qarkullimin e mallrave në rrugë private. Duhet të kihet parasysh se një pjesë e qarkullimit të mallrave realizohet privatisht nga vet qytetarët dhe një bllokim i tillë ka krijuar jo pak probleme dhe vështirësi për vet qytetarët, por dhe për sektorin e bujqësisë, që e sheh veten tejet në disavantazh dhe thuajse në kufijtë e mbijetesës nga pamundësia për të sjellë pranë tregjeve të mëdha produktet e fushës.
Po cila do të jetë panorama e mëtejshme, pasi kjo pandemi të vihet nën kontroll dhe të kalojë? Fillimisht sfida madhore është ajo shëndetësore dhe emergjenca ekonomike, si pasojë e mbylljes së menjhershmë të pjesës më të madhe të ekonomisë kombëtare.Si çdo qeveri në botë, edhe Qeveria Shqiptare ka miratuar tashmë një paketë shpëtimi, madhësia e së cilës duhet vlerësuar në kontekstin e mundësive dhe kapaciteteve që ka qeveria, në drejtim të ofrimit të një mbështetje të madhe financiare, nisur kjo dhe nga fakti që Shqipëria pati pasoja  jo të pakta shkatërrimtare të tërmeteve të shtatorit dhe nentorit. Thënë kjo, si dhe duke pasur në konsideratë nivelet e borxhit publik dhe hapësirat që ka buxheti i shtetit për të gjeneruar të ardhura dhe emetuar borxh të ri, paketa gjykohet si më e mira në kushtet aktuale. Patjetër që ka vend për përmirësime dhe plotësime në vijim dhe ndoshta hartimi i saj duhej bërë në një konsultim edhe më të ngushtë me komunitetin e biznesit, për të identifikuar më mirë dhe për t’ju përgjigjur më me efikasitet nevojave urgjente që kanë të gjithë grupet e interesit të prekur më rënda nga kriza e pandemisë së COVID-19.
Nga ana tjetër, pandemia do bëjë që në mënyrë të pashmangshme disa sektorë do të duhet të ridimensionohen dhe riformatohen, në konceptin e ndërtimit të një strukture të tillë biznesi që do të jetë e aftë të përballojë të tilla “disruptions” (shpërthime shkatërruese) në mjedisin ekonomik (turizmi, industria e argëtimit, udhëtimeve, sigurimeve, etj.). Sektori prodhues dhe sidomos bujqësia do të vijojnë të mbeten sektorë vitalë, e madje roli i tyre në situata të tilla vjen dhe përforcohet.

Gjithashtu kjo pandemi nxorri qartë faktin se në botë është ende i fortë koncepti i shtetit-komb dhe se sjellja e shteteve dhe qeverive kombëtare, në rast krizash të tilla, do të mbetet thuajse plotësisht brenda kufijve kombëtarë. Në kushtet kur panorama globale duket se do të jetë tepër e zymtë për globalizimin që njohim sot, për faktin e thjeshtë se Kina i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm thuajse çdo zinxhiri vlere për thuajse çdo produkt sot, kuptohet që mjaft kompani të mëdha do fillojnë të mendojnë zhvendosjen pjesore ose të plotë të kapaciteteve të tyre të prodhimit nga Kina, ose drejt vendeve të tjera me krahë të lirë pune, ose dhe drejt vendeve të tyre të origjinës, duke e segmentuar dhe fragmentuar kështu tregun global. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për Shqipërinë, për të tërhequr investime të huaja në vijim në drejtim të industrive prodhuese.

Së fundi, duhet theksuar se politikëbërësit në Shqipëri dhe gjithë grupet e interesit duhet të mendojnë për një riorientim strategjik të ekonomisë shqiptare drejt prodhimit dhe teknologjisë, si sektorë të cilët janë gjithnjë kundërciklikë në çfarëdolloj krize.