Sigurime të Marinës

Sigurime të Marinës

Lundrimi shpeshherë rezervon të papritura, të cilat mund të kenë kosto për Ju. Na e lini neve në dorë që ta bëjmë udhëtimin tuaj më të sigurtë.

Ne sigurojmë dëmtimin, humbjen dhe transportin e anijeve, gjithashtu mund të sigurojmë edhe mallrat tuaj nga pika e origjinës deri në destinacionin final.

Sigurimi i Anijeve

Ky sigurim ofron mbulim për anijet, mjetet e tjera lundruese dhe përgjegjësinë e riparuesve dhe ndërtuesve. Kushtet e Sigurimit të Anijeve përcaktohen në klauzolat e zgjedhura të sigurimit, të cilat përdoren në tregun ndërkombëtar të Sigurimit të Anijeve, që ofrohen nga Siguruesi dhe që përcaktohen kryesisht nga destinacioni i anijes. Dëmshpërblehen dëmet e shkaktuara si rrjedhojë e humbjes, të cilat bëhen të pagueshme me vërtetimin e ngjarjes së sigurimit. Vlera maksimale për t'u dëmshpërblyer është në varësi të shumës së sigurimit dhe klauzolës së zgjedhur dhe përcaktuar në policë.

Kontrata e sigurimit i nënshtrohet legjislacionit shqiptar dhe konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me lundrimin detar, të cilat janë të pranuara nga shteti shqiptar.

Ky lloj sigurimi mbulon humbjet ose dëmet e objekteve lëndore të siguruara shkaktuar nga:

  1. Rreziqet e detrave, lumenjve, liqeneve, etj.;
  2. Pirateria, kontakti me mjete transporti tokësor, doku ose pajisje e instalime të portit;
  3. Tërmeti, shpërthime vullkanike e rrufeja, aksidente në ngarkim-shkarkim, lëvizja e ngarkesës ose e karburantit.

Në rast të të ndonjë dëmi, i Siguruari duhet të njoftojë menjëherë sapo të ndodhë ngjarja (sipas formularit të dhënë nga Siguruesi), duke njoftuar paraprakisht sapo të ndodhë ngjarja.

Sigurimi i mallrave gjatë transportit (Cargo)

Sigurimi i mallrave është një nga aktivitetet më të hershme të EUROSIG-ut. Nëpërmjet tij bëhet mbrojtja e kapitaleve të materializuara të pronarëve gjatë transportit të tyre, nëpërmjet tri klauzolave bazë të sigurimit të mallit A, B, C, si më poshtë:

Klauzolat C të Institutit të Mallit - 1/1/1982. Humbjet totale dhe avari të pjesëshme në qoftë se shkaktohen nga:

  1. Zjarri, eksplozioni;
  2. Aksidente të mjeteve të transportit (përplasje, nxjerrje në breg, fundosje, nxjerrje në cektinë, përmbytje, dalje nga binarët);
  3. Shpenzimet për shkarkimin e mallit në një port të fatkeqësisë;
  4. Humbje ose dëmtim i mallit për sakrificën gjatë avarisë së përgjithshme ose hedhje e mallit në det;
  5. Shpenzime për shpëtimin e ngarkesës;
  6. Kontributi i mallit në avarinë e përgjithshme.

Klauzolat B të Institutit të Mallit - 1/1/1982. Si klauzola "C", por shtohen:

  1. Tërmeti, shpërthimi vullkanik, rrufeja;
  2. Rënia e ujit mbi bordin e anijes;
  3. Rënia totale e pakove të veçanta gjatë ngarkim-shkarkimit.

Klauzolat A të Institutit të Mallit - 1/1/1982. Nuk emërtohen rreziqet, por mbulohen:

Të gjitha dëmet ose humbjet fizike të shkaktuara nga çfarëdo ngjarje e paparishikuar, e papritur, aksidentale dhe e rastësishme.

Këto klauzola janë të njëjta me ato të tregut të Londrës dhe që aplikohen pothuajse në të gjithë Europën. EUROSIG mbulon të gjitha rreziqet e mundshme që mund të ndodhin gjatë transportit të mallrave, si brenda dhe jashtë vendit. Për këtë mjafton paraqitja e një kërkese për sigurim, ku të jepen të gjitha të dhënat e hollësishme lidhur me mallin që do të sigurohet, si dhe pagimi i tarifës së Primit të Sigurimit. Ky sigurim mbulon dëmet fizike të mallrave të shkaktuara nga çdo ngjarje e paparashikuar, e papritur, aksidentale dhe e rastësishme, siç përcaktohet në Klauzolat e Institutit të Londrës, i cili në bazë të një proçedure të caktuar ndjek dëmin që mund të ndodhë.

TPL për Mjetet Lundruese

EUROSIG, në zbatim të dispozitave të kreut VII-të të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009, "Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit", akteve nënligjore në zbatim të tij, Kushteve të Përgjithshme të kësaj kontrate dhe përkundrejt pagimit të primit nga i Siguruari, mbulon përgjegjësinë ligjore të mbajtësit të Mjetit të Vogël Lundrues brenda limiteve të përgjegjësisë të parashikuar në ligj, për dëmet jo pasurore (shëndetësore) dhe pasurore të shkaktuara palëve të treta, gjatë përdorimit të mjeteve të vogla ujore të siguruara.